Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Zvicër

ff
a

Miqtë e SHSHMPZ

Përkrahësit e SHSHMPZ

Arting5
Më tepër...

Kosova Reisen
Më tepër...


ENB Sigurimet
Më tepër...

Alba Peinture
Më tepër...

Beqaconsulting
Më tepër...

Hyrje <<
E enjte, 10.03.2010
NË REINACH SHQIPONJAT SHPALOSEN SHQIP FLATRAT E FESTAVE KOMBËTARE
Shkruajnë: Skënder Buçpapaj dhe Elida Buçpapaj
Pasditja e 7 Marsit 2010 do të mbetet një nga më të paharrueshmet për shqiptarët e Basel-Landit, të bashkuar në një nga ngjarjet e tyre më të mrekullueshme festive.
Jashtë frynte marsi i egërsuar, siç thotë legjenda shqiptare, por në sallën e madhe „HAZALL“, në Sternenhofstrasse 15, Reinach (Rainah) për orë të tëra do të jehonte kënga, vallja, poezia shqipe, do të shpalosnin flatrat e festave, në një mikroklimë të veçantë pranvere të parakohshme, do të krijonin një nënqiell më vete nga ata që dinë t'i krijojnë vetëm zemrat e çiltra të vogëlushëve shkollarë shqiptarë. Një „Program artistik shkollor“, nën organizimin dhe regjinë e spikatur të Safet Sadikut, koordinator i Lidhjes „Naim Frashëri“ të Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) për Bazel-Landin do të jepej kushtuar „7 Marsit“- Ditës së Mësuesit dhe dyvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Natyrisht do të përjetohej edhe vigjilja e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Pasi të gjithë të pranishmit, të prirë nga kori i nxënësve do të këndonin „Himnin Kombëtar“ e pastaj Grupi „Shqiponja“ do të interpretonte “Vallja e vajzave“ dhe „Vallja e lirë“, do të bëhej hapja zyrtare e programit nga zotëri Safet Sadiku. Me një ndërthurje plot ritëm e gjallëri të pikave të programit do të sillnin recitimet e tyre nxënësit Donika dhe Egzon Arifi, Laurent Atashi, Sokol dhe Kosovare Fazliu, Muhamet Musliu, Arbnora Hajrizi etj., nga klasat e mësimit plotësues në Füllinsdorf dhe Listal. Këngën „Pavarësia“ do ta këndonin Lejla dhe Linda Kovaqi, ndërsa këngën kushtuar  komandantit legjendar Adem Jashari do ta këndonte nxënësja Rezarta Demaj, ardhur posaçërisht nga kantoni Argau.
Krejt natyrshëm fjala poetike do të pushtonte hapësirën festive. Do të ishte i pranishëm me poezitë e tij Agim Vinca, libri i tij botuar në shqip-gjermanisht, me titull “Zogj të plagosur”. Sokol dhe Kosovare Fazliu recituan rrjedhshëm vjershën „Dhoma e zbrazët“, po aq bukur  Muhamet Musliu dhe Arbnora Hajrizi recituan vjershën „Çamëria“, ndërsa Donika dhe Egzon Arifi lexojnë vjershën „Zogjtë“. Kumbimi i gjermanishtes së vendësve përkrah shqipes së kristaltë të vogëlushëve shqiptarë do të ishte një nga veçantitë befasuese të këtij programi festiv shkollor të nxënësve të shkollave shqipe të mësimit plotësues të kantonit Basel-Land. Poezinë e Andon Zako Çajupit, I dashur mëmëdhe, nxënësit shqiptarë do ta recitonin edhe të përkthyer në gjermanisht. Ndërsa nxënësit e familjes Arifi madje edhe do të këndonin në një gjuhë tjetër, po aq të parapëlqyer nga shqiptarët, në anglisht.
Zotëri Safet Sadiku, në njërën nga ndërkohët e programit, do t'iu jepte sqarime prindërve dhe nxënësve që kishin mbushur sallën për procedurat e marrjes së lejes së objektit shkollor, me qëllim që sa më shumë nxënës shqiptarë të përfshihen në arsimin plotësues shqip. Ai ua kujtoi të pranishmëve se tashmë është koha e kryerjes së këtyre procedurave, në mënyrë që klasat e reja të fillojnë aktivitetin e tyre në gusht të këtij viti, pra në vitin e ri arsimor zviceran. Një lajm i gëzuar, në këtë kontekst, do të jepej prej koordinatorit të LAPSH-it për kantonin: Hapja e pikave të reja shkollore. Z. Safet ua prezantoi bashkëkantonasve dy delegatët e Lidhjes të Kantonit Basel-Land zotërinjtë Emërllah Fazliu dhe Gjumshit Arifi, të cilët do të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor të Lidhjes në nivel Zvicre, i cili  do të mbahet më 28 mars 2010 në Solloturn. Njëherit prindi Emërllah Fazliu do jetë edhe ushtrues i detyrës së kryetarit të Lidhjes për prindërit në nivel kantoni.
Përsëri në skenë ngjitej grupi i valleve „Shqiponja“ që do të interpreton vallen e Flamurit, vallen „Suite Kosovare“ e tjerë. Lejla dhe Linda Kovaçi do të paraqiteshin me këngën „Hyni n'valle“.
Një nga befasitë më përmbajtjesore të këtij programi do të ishte prania dhe fjala e zotëri Mr. Venhar Fejzullahu. Në mënyrë tejet argumentuese dhe bindëse ai foli për domosdoshmërinë e mësimit të shqipes nga nxënësit shqiptarë, për të pasur një përparim sa më të mirë edhe në lëndët e tjera shkollore të arsimit gjermanisht në Zvicër. Mr. Fejzullahu, ish nxënës i zotëri Safet Sadikut, për të cilin tregoi respekt dhe mirënjohje disa herë gjatë fjalës së tij, tha se mësimi mbi baza gramatikore drejtshkrimore e drejtshqiptimore i shqipes e ka shkathtësuar atë edhe në mësimin e gjermanishtes mbi baza të thella dhe në përparimin e gjithanshëm mësimor, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm intelektual.
I ardhur fëmijë në Zvicër, Mr. Venhar Fejzullahu, tha se gjithmonë ka kultivuar tek vetja dashurinë për përkatësinë shqiptare, për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, por njëkohësisht ka brumosur veten me dashurinë për Zvicrën, për mikpritjen zvicerane, mirëkuptimin për realitetin zviceran, prirjen për ta përvetësuar dhe kultivuar tek vetja kulturën vendëse. Mr. Fejzullahu, 26 vjeçar, tha se e ka marrë me sukses diplomën në Universitetin e Cyrihut, pastaj ka magjistruar, dhe tani po kryen ushtrinë. Me krenari Z. Fejzullahu tha se kolegët e tij zviceranë më lavdërojnë duke më thënë se jam më zviceran se zviceranët. Këtë cilësi ia uroj çdo bashkëkombësi dhe ju garantoj se vetëm kështu, me vetëdije shqiptari, me krenari kombëtare dhe me përkushtim për t'u integruar mund të arrijmë që ne shqiptarët e brezit të ri të jemi konkurrues në tregun zviceran të punës në mënyrë të dinjitetshme sa edhe vetë zviceranët.
Rifreskimi i fundit: 12.03.2010 | Kontaktoni | ©2008 Isni Idrizi