Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues në Zvicër

ff
a

Miqtë e SHSHMPZ

Përkrahësit e SHSHMPZ

Arting5
Më tepër...

Kosova Reisen
Më tepër...


ENB Sigurimet
Më tepër...

Alba Peinture
Më tepër...

Beqaconsulting
Më tepër...

Në vend të lektyrës: E mërkura lamtumirëse
Atë pasdite të së mërkurës nuk do ta harroj kurrë. Qe një ditë e bukur, por unë nuk di se si u ngrita me dhembje koke. S‘ishin tamam dhembje, por si një shtrëngim rreth qafës e në kokë. Sytë sikur më rëndonin dhe kisha dëshirë t'i mbaja mbyllur. Më dukej sikur më lehtësohej dhembja tek i shtrëngoja kapakët e tyre dhe bëja një fërkim të lehtë mbi sy; tamam mbi vetulla. Natën puthuajse e kam gdhirë.

Nesër do të jetë dita e fundit në këtë shkollë; nesër do të ndahem nga nxënësit; nesër do të ndahem nga prindërit, me të cilët pata raporte shumë të mira bashkëpunimi… Po kaloj momente të vështira; s'di si do ta përballoj ndarjen. Kam kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet në këtë shkollë dhe nuk është e lehtë t'u thuash nxënësve për një çast mirupafshim! Shumë kujtime të pashlyera kam nga kjo shkollë. Si sot më kujtohet dita kur fillova për herë të parë të mbaja mësim. Ishin shumë nxënës atëherë, rreth tridhjetë. I ndava në dy grupe dhe fluturoja nga gëzimi. Mendoja me vete, nuk ka punë më fisnike dhe më të besuar se puna e mësimdhënësit. Është një detyrë e shenjtë dhe një besim që të ofrohet për edukimin e brezit të ri, prandaj edhe mësuesi duhet ta respektoj këtë besim që të ofrojnë prindërit dhe duhet të punojë i përkushtuar në këtë profesion. Kujtoja mësuesen time të parë. Sa me përkushtim na mësoi dhe ishte e ka mbetur për mua një shembull për jetë. Dhe u përpoqa për gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë t'ua mësoj fëmijëve në këtë shkollë gjuhën e bukur shqipe, këngën shqipe, historinë dhe gjeografinë e trojeve tona. I përgatita për festa të gjysëmvjetorit e të fundvitit. U përpoqa të përcillja tek ata gjeneratë pas gjenerate, dashurinë për gjuhën e fjalën e bukur shqipe. Dhe tani më dalin si në film gjithë ato punë e ato përpjekje për të përçuar sa më mirë tek filizat e njomë fjalën e ëmbël shqipe. Më dalin përpara nxënësit e dashur duke më pritur para shkollës, të buzëqeshur. Unë edhe mund të isha ndonjëherë e lodhur, por kur më dilnin përpara të buzëqeshur e me dorën e zgjatur për të më përshëndetur, lodhja më nuk kishte vend tek unë. U buzëqeshja, i përshëndesja, hynim në klasë dhe fillonim mësimin. Duke hyrë në klasë, ndodhte që ndonjë nxënës të mos i kishte bërë detyrat e shtëpisë dhe fillonte të shfajësohej. Mësuesja e falte, por kërkonte të mos përsëritej shpesh kjo gjë. Ndodhte që prindërit të ankoheshin për suksesin e dobët të fëmijës në shkollën zvicerane dhe unë merrja menjëherë kontakt me mësuesen zvicerane. Prezantoja edhe në orën e mësimit, për të parë se si qëndron puna me atë nxënës dhe në fund gjenim një mënyrë bashkëpunimi me mësuesen zvicerane dhe zgjidhej problemi e nxënësi ndihmohej për t'u përmirësuar.

Duke i kujtuar tërë natën këto momente e shumë moment tjera të bukura, nuk vura gjumë në sy. Nuk bëra gjumë, sepse s'mund të shkëputesha nga kujtimet, ndërsa duhej të shkëputesha nga kujtimet e nga nxënësit e mi të dashur. Duhej t'u thosha sot përfundimisht: Mirupafshim nxënës të dashur!

. . .

Nxënësit erdhën më herët se ditëve tjera atë ditë në shkollë. Kishim planifikuar të ushtronim programin e paraparë për mbrëmjen festive me rastin e mbarimit të vitit shkollor si dhe për mbrëmjen lamtumirëse me rastin e ndarjes sime nga kjo shkollë. Të gjithë ishin veshur bukur si për festë dhe filluam të ushtronim pikat e programit artistik. Unë kënaqesha tek i përcillja njërin pas tjetrit recitimet e tyre prej bilbilash. Sapo mbaruan ushtrimet, u thashë të pushonin pak në mënyrë që të ishin të çlodhur kur të shfaqnin programin para prindërve. Ata ishin atë ditë më të qetë se asnjëherë tjetër; edhe ata përjetonin emocionet e ndarjes dhe nuk pritën sa të fillonte programin me prindërit, por shkuan në vendet e tyre dhe filluan t'i sillnin dhuratat e ndarjes për mësuesen. Unë nuk e jipja veten, sepse kisha mbledhjen me prindërit, shpërndarjen e librazave dhe programin e nxënësve; kështu që nuk kishte vend për emocione. Shtrëngova veten dhe vendosa të qëndroja deri në fund, ashtu siç i ka hije një mësuesi kur ka para vetes një detyrë për të përmbushur me dinjitet. I falënderova për dhuratat e bukura, por nuk e zgjata shumë , sepse mund të emocionohesha, bile edhe mund të më dilnin lotë, prandaj i thashë vetes: - mos e zgjat! Nxënësve u thashë të dilnin pak jashtë, derisa të vinin prindërit dhe unë të mblidhja forcat për të realizuar mirë programin e parashikuar. Dalngadalë po afronte ora nëntëmbëdhjetë. Nxënësit filluan të ktheheshin në klasë. Edhe prindërit filluan të vinin. Kësaj here kishin ardhur të gjithë prindërit, pa përjashtim. Nënat e baballarët e nxënësve. T'u them të drejtën u ndjeva krenare, sepse kjo për mua thoshte shumë. Thoshte se prindërit ishin të kënaqur me punën time, prandaj kishin ardhur të respektonin punën time, të më falënderonin dhe të përshëndeteshin me mua. Kjo për mua kishte rëndësi të madhe. U ndjeva shumë e lumtur por edhe e emocionuar. Fillova mbledhjen me prindërit. I përshëndeta ata dhe fëmijët e tyre. Raportova për punën e bërë në gjysëmvjetorin e dytë. Shpërndava librezat e nxënësve dhe dola në pjesën më të ndieshme: tek ndarja. Duke arsyetuar largimin tim nga kjo shkollë, filloi të më mblidhej diçka në grykë. Me zor e kapërceva këtë ligështim të çastit dhe i thashë vetes të gjeja forca për ta përballuar situatën deri në fund, për ta përfunduar programin me dinjitet. Emocionet e mia nuk mbetën pa rënë në sy. Pashë edhe prindër që iu mbushën sytë me lot, por e tejkalova shpejt këtë ligështim të momentit dhe vazhdova ta përmbyll shpejt e shpejt këtë pjesë që dalngadalë po bëhej prekëse dhe emocionuese. Pas meje morën fjalën edhe prindërit që nga kryetari e më tutje. Isha e lumtur që kasha fituar respektin dhe mirënjohjen e tyre. Asgjë më tepër nuk më duhej. Ata do të më kujtonin si një mësuese të mirë dhe kjo ka rëndësi për mua mendova.

Pas kësaj pike të vështirë, filloi të shfaqet para prindërve programi artistik i nxënësve. Pas programit të bukur, u tubuam, mësuesja, nxënësit e prindërit rreth tavolinës së shtruar nga nxënësit, ku shijuam gatimet e nënave të tyre. Këtu pata rast të rrija më gjatë me prindërit e nxënësit, duke biseduar e ndarë me ta kujtimet e bukura e të paharruara nga kjo shkollë. Koha eci aq shpejt sa vetëm kur pamë se ora i ishte afruar njëzetedyshit. Atëherë filluam të shpërndaheshim dalngadalë. U përshëndeta dhe u ndava nga të gjithë. Prindërve ju urova pushime të mira verore në vendlindje, ndërsa nxënësve shumë suksese në shkollimin e tyre dhe në jetë e në të ardhmen e tyre të bukur.

Duke u kthyer me autobus dhe pastaj me tren, nuk i kurseva lotët. Fillova të qajë. Kështu fillova të çlirohem nga ai shtrëngim i sforcuar që i kisha bërë vetes para nxënësve e prindërve. Kështu qava dhe shpreha në këtë mënyrë këtë ndjenjë njerëzore që erdhi krejt natyrshëm në qenien time. Erdha në shtëpi e lodhur dhe e mërzitur. I vendosa në vazo tufat e luleve të shumëllojshme që më sollën nxënësit, dhe po mendoja se çfarë të bëja pas kësaj ndarjeje; si të çlirohesha nga kjo gjendje. Mora lapsin dhe shkrova e përmalluar e me lot në sy poezinë time të zemrës, për nxënësit e mi të dashur “Largimi 16” dhe sikur u çlirova. Këtë poezi ia dhashë koleges sime, e cila do të vazhdojë të mbajë mësimin me këta nxënës, që t'ua lexonte atyre në ditën e parë të shkollës.


Saime Isufi Biel, 15.07.2009

Rifreskimi i fundit: 30.09.2009 | Kontaktoni | ©2008 Isni Idrizi