| (Vetë) Diskriminimet në procesin e mësimit plotësues | |
| |
Jemi mësuar disi me këtë term, diskriminim, pasi që për një kohë të gjatë i kemi ndje veprimet dhe pasojat e këtij termi në vendet nga vijmë si dhe në vendin ku kemi imigruar. Por të drejtën të ju them termi vet-diskriminim më preku si diçka jo e natyrshme. Si mundet një njeri apo një popull ti bëj diskriminim vetvetes! Apo diskriminimi në procesin e mësimit plotësues. D.m.th se gjatë procesit të mësimit plotësues bëhet një lloj diskriminimi! (*) |
Shkruan: Shpresa Idrizi
|
|
Por besoj se me këtë titull keni dashur të prekni temën e mosvijimit të mjaftueshëm në numër të mësimit plotësues nga ana e nxënësve shqiptarë për të cilët edhe organizohet ky mësim nga ana LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër. Me këtë term besoj se është dashur të preken arsyet përbrenda mërgatës shqiptare për këtë lloj padrejtësie që u bëhet fëmijëve tanë që në mënyrë të organizuar, institucionale të njihen me gjuhën apo kulturën e prejardhjes së tyre. Me një fjalë në mënyrë të organizuar të ruhet apo kultivohet identiteti i tyre shqiptarë.
Ashtu siç është paraparë me këtë debat edhe kësaj radhe nuk do të përmendet diskriminimi që u bëhet fëmijëve tanë nga vendi ku ata jetojnë por do të shtjellohen padrejtësitë që u bëhen atyre në aspektin e ruajtjes së identitetit të tyre nga ana e vet subjekteve shqiptare këtu në Zvicër dhe në vendet nga e kanë prejardhjen e tyre. Cilat pra janë arsyet e brendshme, ndër-shqiptare, që e pengojnë apo më butë të them, nuk e ndihmojnë mësimin plotësuese këtu në Lozanë apo në kanton të Vaud-it? Mungesa e organizimit shtetëror të mësimit plotësues është padrejtësia e parë që i dallon shqiptarët nga komunitetet tjera. Ambasadat apo konsullatat e komuniteteve tjera janë ato që e organizojnë mësimin plotësues në Zvicër dhe me marrëveshje ndërshtetërore i kanë rregulluar të gjitha çështjet që kanë lidhje me këtë lloj veprimtarie. Në rastin tonë tani për tani kemi vetëm mbështetje morale nga ana e qeverisë së Kosovës ndërsa për qeveritë e Maqedonisë dhe Shqipërisë as atë nuk e kemi. Pasi mungon organizimi shtetëror atëherë nevojitet një mbështetjeje e gjerë e komunitetit tonë për të realizuar një përfshirje sa ma të madhe të fëmijëve tanë në mësimin plotësues. Edhe kjo mbështetje mungon për arsye të ndryshme. Të vetmen mbështetje të sinqertë e kemi nga një numër i vogël i prindërve që edhe i sjellin fëmijët e tyre në mësim. Sa i përket Lozanës dhe rrethinës së saj mos të harroj të përmendi edhe mbështetjen e piktorit tonë, Samedin Asllani, si për orët e mësimit ashtu edhe për përgatitjen profesionale të skenës gjatë manifestimeve shkollore. Do ta përmendim për të mirë edhe bashkëpunimin me shoqatën e studentëve shqiptarë nga Lozana. Kemi bërë përpjekje për të afruar edhe bashkatdhetarë tjerë që të japin kontributin e tyre në këtë drejtim por deri më tani pa sukses. Ndonjëherë jo që nuk kemi pasur mbështetje por kemi pasur edhe pengesa: të përmendi vetëm rastin e organizimit të manifestimit të fundit në nivel kantonal kur në të njëjtën ditë dhe kohë, në Lozanë dhe rrethinën e saj u organizua një manifestim paralel nga shoqatat shqiptare që veprojnë këtu?! Ndoshta kjo mosmbështetje vjen nga fakti që ky angazhim është vullnetarë, pa pagesë, pa asnjë fond nga qeveria vendase apo e vendeve të prejardhjes. Në kantonin tonë, tani për tani, nuk jepen fonde për shoqatat që kanë një veprimtari të tillë si kjo e jona. Kur do të ketë fonde me siguri do të bëhet edhe “luftë” për të qenë pjesë e kësaj shoqate apo synimi. Një ndër arsyet që përmenden shpesh është se komuniteti ynë ka një numër të madh të bashkatdhetarëve tanë që nuk kanë arritur të arsimohen si duhet për shkaqe objektive dhe se kjo i bën ata më pak të vetëdijshëm për nevojën e ruajtjes së identitetit nëpërmjet gjuhës. Nga përvoja jonë, kjo arsye nuk qëndron. Ne në shkollën shqipe nuk kemi gati se asnjë fëmijë nga ata prindër që e thërrasin veten “intelektualë”. Këta “intelektualë” vetëm bëjnë konstatime por asgjë konkrete nuk bëjnë. Merren me punë shumë më të mëdha. Ruajtja e identitetit të fëmijëve tanë është ose e parëndësishme ose është një cikërrimë për ta. Ndoshta edhe e ndjejnë veten kozmopolitë të rangut të parë dhe ruajtja e identitetit është diçka e tejkaluar për ta. Diçka e rezervuar vetëm për patriotët folklorik. Interesant është se ashtu nuk mendojnë intelektualët e komuniteteve tjera që jetojnë e veprojnë në Zvicër. Padrejtësia e madhe që u bëhet fëmijëve tanë është edhe mbjellja e ndjenjës së mosvlerës apo inferioritetit kulturor. E kjo ndjenjë së pari fillon nga gjuha. Nëse me fëmijët flitet në gjuhë të huaj në shtëpi atëherë cila është arsyeja që të mësohet gjuha amtare në mësimin plotësues. Fëmija nuk dëshiron të mësoj “një gjuhë të huaj” që nuk respektohet nga vetë ata që duhet ta flasin gjuhën e tyre amtare. Se sa larg shkon ky paradoks shihet edhe në shqiptimin e deformuar të emrave të fëmijëve tanë: Kamazh (Camaj), Dakazh (Dakaj) e tjerë nëpër shkollat zvicerane dhe prindërit tanë nuk reagojnë. Kemi edhe një padrejtësi të theksuar gjinore. Shumica e fëmijëve që përcjellin mësimin plotësues në gjuhën shqipe janë vajza. Pse për djemtë nuk është aq e rëndësishme njohja e gjuhës amtare? Apo ndoshta ata kanë punë më të rëndësishme për të kryer. E këtu, me siguri, në rend të parë mund të fajësohen vetë prindërit. Padrejtësia që bie në sy është edhe mungesa e hapësirës për mësimdhënie dhe materialeve për konkretizimin e mësimit plotësues. Është paradoksi i madh kur futesh në klasë të rrethuar me lloje të ndryshme të mjeteve didaktike ndërsa me vete ke vetëm materialet që ke mundur vetë ti përgatisësh. Mungojnë libra, mjete audio dhe video, fletore pune e tjerë. Këtë pjesë të punës patjetër duhet ta bëj shteti i prejardhjes dhe atë me një urgjencë të lartë. Nuk kemi vende as për të ruajtur materialet që i përdorim për mësimdhënie. Mos të flasim kënde për të ngjitur afishe didaktike që i përdorin shkollat në kushte normale. Në mungesë të numrit të nxënësve jemi të detyruar të mbajmë klasa të kombinuara. Edhe kjo është një padrejtësi e madhe që u bëhet nxënësve tanë. Në vend që tërë koha për mësim tu kushtohet të njëjtës moshë të nxënësve ne jemi të detyruar që atë ta ndajmë varësisht nga mosha e tyre që janë prezent në klasë. Për Lozanë e rrethinë, duke marrë parasysh numrin e madh të fëmijëve shqiptarë, nuk do të ishte aspak e pamundur të organizohej mësimi i ndarë në klasa prej vitit të parë deri në vitin e nëntë. Por që të realizohet kjo duhet së paku numri i nxënësve të katërfishohet. Sa për informatë tani për tani maksimumi i nxënësve të regjistruar në Lozanë e rrethinë ka qenë 102, ndërsa në shkollën zvicerane mësimin e përcjellim mbi 1500 që kanë deklaruar se gjuha shqipe është gjuha e tyre amtare. Padrejtësia tjetër është edhe koha kur mbahet ky mësim plotësues, pas orarit të rregullt në shkollat zvicerane ose ditëve të shtuna. Por kjo nuk varet nga ne tani për tani. Por mund të përmendi edhe një “padrejtësi” pozitive: Të gjithë nxënësit që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe këtu në Lozanë, tregojnë suksese shumë më të mira në shkollën zvicerane se ata nxënës që nuk e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Këtë konstatim mund ta nxjerrim nga statistikat e bëra nga vetë departamenti për arsim, rini dhe kulturë i kantonit Vaud. Të përmendim rastin e klasës që vijon mësimin në ciklin e lartë në Coteau-Fleuri. Asnjë nxënëse nuk është në opsionin VSO por kemi vetëm nxënëse në VSG dhe VSB. Fundi i fundit një padrejtësi e madhe u bëhet fëmijëve tanë nga vetë ne shqiptarët se nuk u ndihmojmë atyre që të ndjehen mirë me origjinë e vet. Që të ndjehen mirë ata duhet ta njohin kulturën e vet. Ta shohin se nuk ka arsye të ndjehen inferior se e njohin një gjuhë të lashtë, se i takojnë një populli të lashtë. Se njohja e një gjuhe më tepër është një përparësi për ta në çdo aspekt. Me mosnjohjen e gjuhës amtare ne në një farë mënyre ua largojmë këtë përparësi të mundshme fëmijëve tanë gjatë shkollimit të tyre në gjuhën e vendasve. (*) Tema është trajtuar gjatë debatit që u organizua nga Albinfo dhe UPA më 31 maj 2011 në Lozanë Shpresa Idrizi |
|



